Articles


KODIPENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

REPUBLIKA E KOSOVËS
KUVENDI

 

KAPITULLI XXIII: VEPRAT PENALE TË NARKOTIKËVE

 

Neni 272
Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge  

1. Kushdo që pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy deri në dymbëdhjetë vjet .

2. Kushdo që pa autorizim shpërndan, shet, transporton, dorëzon, ndërmjetëson, dërgon ose dërgon në transit substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge, me qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimit për shitje, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

3. Kushdo që pa autorizim eksporton ose importon substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet..

4. Për qëllime të këtij kapitulli, shprehja “analog” nënkupton çfarëdo substance e cila nuk është e autorizuar dhe struktura kimike e së cilës është esencialisht e ngjashme me atë të substancave apo preparateve që janë shpallur si narkotikë ose substanca psikotrope dhe efektet e të cilave i riprodhon.

5.  Substancat narkotike, substancat psikotrope ose substancat analoge dhe mjetet për prodhimin, shpërndarjen apo transportimin e tyre konfiskohen.

Neni 273
Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike

1. Kushdo që pa autorizim prodhon, kultivon, përpunon, nxjerr ose përgatit substanca apo preparate që janë shpallur si narkotikë ose substanca psikotrope, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

2. Kushdo që pa autorizim prodhon, kultivon, përpunon, shet ose ofron për shitje substancën analoge, dënohet me gjobë dhe me burgimprej gjashtë muaj deri në tre vjet.

3. Kushdo qe prodhon, transporton ose shpërndan preparate  duke e ditur se ato do të përdoren për prodhim ose përpunim të paautorizuar të narkotikëve apo substancave psikotrope, dënohet me burgim prej dy deri në dhjetë vjet. 

4. Kushdo që pa autorizim prodhon, transporton, shpërndan, shet ose furnizon me vegla, pajisje apo materiale narkotike, duke ditur se këto janë përdorë ose do të përdoren për kultivim, prodhim, përpunim, trafikim apo përdorim të paautorizuar të çfarëdo substance ose preparati të cilat janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope apo analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

5.  Substancat narkotike, substancat psikotrope ose substancat analoge dhe mjetet për prodhimin, shpërndarjen apo transportimin e tyre konfiskohen.

Neni 274
Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge

1. Kushdo që pa autorizim posedon narkotikë, substanca psikotrope apo analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tre vjet.

2. Kryesi që kryen veprën nga paragrafi 1 i këtij neni për herë të parë dhe i cili posedon më pak se 3 gram të  substancave narkotike apo substancave psikotropike ose analoge dënohet me gjobë ose  me burgim deri në një vit.

3.  Substancat narkotike, substancat psikotrope ose substancat analoge konfiskohen.

Neni 275
Intoksikimi i personit tjetër me narkotikë ose substanca psikotrope

Kushdo që e intoksikon personin tjetër me narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge pa dijeninë e personit të tillë, dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.

Neni 276
Lehtësimi i sigurimit apo përdorimit të narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge

1. Kushdo që administron me narkotikë, me substanca psikotrope apo analoge dhe për shkak të detyrës që ka, lehtëson sigurimin ose përdorimin e tyre në kundërshtim me ligjin, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

2. Drejtuesi ose pronari i lokalit apo i hapësirës tjetër të mbyllur që përdoret nga publiku, i cili lejon apo toleron përdorimin e narkotikëve, substancave psikotrope ose substancave analoge, dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.

Neni 277
Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit

1.  Kushdo që pa autorizim kultivon bimën e hashashit, shkurren e kokainës ose bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

2.  Bima e hashashit, shkurrja e kokainës ose bima e kanabisit dhe furnizimet, pajisjet dhe materialet për kultivimin e tyre konfiskohen.

Neni 278
Organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope

1. Kushdo që organizon, drejton apo financon ndonjë prej veprave penale nga ky Kapitull, dënohet me burgim prej dy deri në dhjetë vjet.

2. Kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni përfshin sasi të madhe të narkotikëve apo substancave psikotrope, kryesi dënohet me burgim prej tre deri në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Share