Articles


Çka është Hepatiti C?

Hepatiti C është një sëmundje infektive që prek ose dëmton mëlçinë, i cili shkaktohet nga virusi i Hepatitit C.  Kjo sëmundje shfaqet në format më të lehta deri tek ato më të rënda dhe mund të shoqërohet pa simptoma të dukshme. Personi i infektuar mund te jetojë me vite të tëra  pa e vërejtur infeksionin. Mirëpo nëse nuk intervenohet me kohë, ose nuk jepet ndihma e duhur mjekësore me kohe, sëmundja vjen duke u rënduar deri sa kalon në formën e saj kronike, duke quar ne dëmtimin e plotë të mëlçisë.

 

Rruget e infektimit me Hepatit C

Hepatiti C përhapet nga kontakti i gjakut me gjakun e infektuar.
Rrugët e transmetimit përfshijnë shkëmbimin e gjilpërave gjatë përdorimit të drogës, përdorimin e mjeteve josterile për injeksione, për tatuazhet dhe body piercing. Gjithashtu, përzierja e mjeteve personale si furçat e dhëmbëve, brisqet e rrojës, mjetet e higjienës së thonjve mund të jetë një rrugë tjetër e transmetimit.
Një përqindje e vogël e njerëzve (1-3%) bien në kontakt me hepatitin C nëpërmjet kontaktit seksual të pambrojtur, ndërsa transmetimi nga nëna tek fëmija gjatë dhe pas lindjes është i mundur në rreth 5% të rasteve dhe kjo varet nga prezenca e niveleve të larta të virusit te Hepatitit C në gjakun e nënës.

Transmetimi i HCV nuk ndodh nga kontakti rastësor me persona të ftohur , me kollë, as nga përqafimi, prekja apo përdorimi i enëve të përbashkëta gjatë ngrënies.

 

Kur mund të identifikohet tek njeriu infeksioni i Hepatit C?

Pas ekspozimit me virusin e hepatitit C, ekziston një periudhë, gjatë së cilës nuk ka asnjë evidence biologjike për infeksionin dhe që zgjat 2-26 javë. Faza fillestare e hepatitit C quhet hepatit akut që zakonisht kjo fazë zgjat 2-12 javë, Më pas infeksioni kalon në Hepatit C kronikë. Shumica e njerëzve me hepatit C kronikë, nuk kanë simptoma dhe bëjnë një jetë relativisht normale. Por në 10-25% sëmundja mund të zhvillohet në një periudhë 10-40 vjeçare. Kështu që hepatiti kronik C mund të çojë në shkatërrim të mëlçisë.

 

Simptomat e hepatitit C 

Shumë njerëz raportojnë pak ose aspak simptoma gjatë fazës akute të infeksionit. Po kështu shumica e njerëzve me hepatit kronik C nuk kanë simptoma dhe jetesa e tyre është relativisht normale. Megjithatë të tjerë kanë simptoma të ngjashme me një gjendje gripale si të përziera: lodhje dhe dobësi, ethe, dhimbje koke, humbje të oreksit, dhimbje të muskujve dhe të nyejve, djersitje  natën, zverdhje, dhimbje dhe fryrje barku, etj. Pas periudhës disavjeçare personat mund të zhvillojnë simptoma edhe më serioze që lidhen me dëmtimin e mëlçisë.

 

Diagnoza e hepatitit C 

Ekzistojnë teste të cilat zbulojnë nëse jeni të infektuar nga hepatiti C dhe stadin e zhvillimit të sëmundjes. Por këto teste nuk praktikohen në rutinë, ndaj personat duhet t’ia kërkojnë këtë mjekut të tyre.

 

Parandalimi

Që të mbroheni nga infeksioni i Hepatit C, nuk duhet të përziejmë mjetet personale si furçat e dhëmbëve, brisqet e rrojës, dhe sende të tjera personale, që mund të jenë në kontakt me gjakun. Po ashtu, nuk duhet të përdorni shiringën, gjilpërën ose mjete tjera jo sterile ose të përdorura më parë, gjatë injektimit të drogave. Gjithashtu, duhet të jemi të sigurtë në përdorimin e mjeteve që përdoren për tatuazhe, body piercing, etj, në mënyrë që të jenë të dezinfektuara. Duhet të mbulojmë çdo plagë të trupit.
Për të reduktuar rrezikun nëpërmjet transmetimit seksual të këtij infeksioni, duhet të praktikojmë marrëdhënie seksuale të sigurta nëpërmjet përdorimit të kondomëve.
Në qoftëse një grua ka hepatit C, duhet të shmangni aktin seksual gjatë ditëve të menstruacioneve.
Njoftoni mjekun, dentistin ose punonjësit e shëndetit, nëse ju keni hepatit C. Në qoftëse jeni një grua me hepatit C duhet të flisni me mjekun në qoftëse mendoni për një shtatzëni të ardhshme.

 

Share